Integrimi i Diasporës Shkencore Shqiptare

Samiti i diasporesInstituti Alb-Shkenca Tiranë – Prishtinë – Shkup

E-mail: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
Datë 1.X.2016

I nderuar Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, I nderuar Z. Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës,

Për dijeni: Z. Valon Murati,  Ministër i Diasporës së Kosovës, Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit të Shqipërisë, Z. Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit të Kosovës, Z. Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit të Maqedonisë,  Z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Z. Shpend Ahmeti, Kryetar i Bashkisë së Prishtinës,

Diaspora shqiptare ka treguar përgjatë viteve se është një aktor i rëndësishëm në drejtim të ruajtjes, forcimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të vlerave tona kombëtare. Diaspora shkencore shqiptare mbetet një potencial i pashfrytëzuar si duhet nga qeveritë e shteteve amë në zhvillimin ekonomik, shoqëror e teknologjik të shoqërisë sonë. Mundësitë e integrimit të kësaj diaspore u diskutuan në kuadër të Takimit të XI-të Vjetor Ndërkombëtar dhe Mbarëkombëtar të Institutit Alb-Shkenca ‘Roli i Diasporës në Botën Shqiptare, Dje, Sot dhe Nesër’, që u mbajt në Tiranë me datë 1-2 shtator 2016, ku dhe patëm kënaqësinë që morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministrat Murati, Nikolla, dhe Bajrami dhe autoritete të tjera shtetërore. Në këtë dokument do të skicojmë në vija të përgjithshme disa propozime për të mundësuar integrimin e diasporës shkencore shqiptare në zhvillimin e vendeve amë. Pas propozimeve për format e regjistrimit të këtij potenciali, si një hap i parë, do të parashtrohen dhe mendime në lidhje me format e angazhimit të diasporës shkencore shqiptare në zhvillimin e vendeve amë kryesisht në arsimin e lartë (IAL), kërkimin shkencor (KSh), dhe në projektet e përmirësimit të infrastrukturës e zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Hyrje Qëllimi i këtij dokumenti është hapja e një dialogu me autoritetet shtetërore të Shqipërisë, Kosovës, dhe Maqedonisë për të mundësuar integrimin e diasporës shkencore shqiptare në zhvillimin e vendeve amë! Kërkuesit shqiptarë gjatë kthimit të tyre në atdhe për periudha të ndryshme kohore mund të sjellin dijen e grumbulluar, përvojën e punës, njohurinë për infrastukturën bashkëkohore dhe metodat shkencore. Kthimi i tyre për periudha të caktuara apo në mënyrë të përhershme do të mundësonte krijimin e gupeve shkencore, nisjen e projekteve të përbashkëta shkencore dhe pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare si Horizon 2020, IPA, Erasmus+ (Tempus)  dhe projekte me institucione kërkimore në shtetet e BE-së dhe ShBA. Shumë prej këtyre shkencëtarëve dhe specialistëve kanë publikime në revista shkencore prestigjioze. Ndërkohë, janë me qindra studiues shqiptarë të kthyer dhe të angazhuar nëpër institucione të  arsimit të  lartë  dhe kërkimit shkencor (IAL-KSh) në rajon.


Këta studiues mbajnë kontakte të rregullta me IAL-KSh të rajonit dhe mundohen të angazhohen në projekte si dhe publikime shkencore të përbashkëta. Po ashtu, këta studiues merren me organizimin e konferencave shkencore, vizitave studimore e kontribute të tjera. 

Instituti Alb-shkenca (IASH) Instituti Alb-shkenca është një shembull i shkëlqyer dhe i vetmi deri më tani sa i përket bashkëpunimit mes kërkuesve shqiptarë nga trojet shqiptare dhe diasporës shkencore shqiptare! I themeluar më 2006 si Institut mbarëkombëtar dhe gjithëpërfshirës në fusha të ndryshme shkencore, Instituti Alb-Shkenca krijoi dhe regjistroi ligjërisht Degët e veta gjeografike në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni në vitin 2007. Në përpjekjet për të sjellë zhvillimet më të fundit në shkencën botërore dhe për të krijuar hapësirën për shkëmbime profesionale mes studiuesve shkencorë nga Shqipëria, Kosova, e Maqedonia, Instituti AlbShkenca, përmes 10 Seksioneve shkencore që ka, që nga themelimi, organizon Takimet e veta ndërkombëtare shkencore. Deri më tani, në këto Takime kanë marrë pjesë rreth 6.000 studiues nga mbarë bota me mbi 4.000 punime të prezantuara në 108 konferenca dhe simpoziume shkencore. Në përpjekjet e veta për ta integruar kërkimin shkencor në trojet shqiptare me ato europiane e botërore, dhe për të nxitur dialogun shkencor mes kolegëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, me ata nga diaspora, Instituti Alb-Shkenca boton periodikisht 4 revista shkencore: AKTET – Journal of Institute Alb-Shkenca, ANASH – Approaching Science, ANAS – Studia humanitatis, si dhe Albanian Journal of Legal Studies. Në mënyrë që puna shkencore e studiuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të mos mbetet si një ishull, por të jetë sa më e dukshme në botë dhe sa më afër shkencës botërore, punimet që Instituti Alb-Shkenca i boton, publikohen të plota në Internet përmes sistemit ALPA (Albanian Papers), përmes të cilit mundësohet edhe indeksimi i tyre në baza të ndryshme ndërkombëtare (Google Scholar, Scopus, etj.). Gjithsesi, përpjekjet individuale e vullnetare të Institutit Alb-Shkenca në këtë drejtim (dhe ato të aktorëve të tjerë joshtetërorë) duhen mbështetur me politika specifike të qëndrueshme nga institucionet shtetërore. Këto politika dhe procedurat përkatëse për zbatimin e tyre duhet të krijohen dhe të vihen në funksion sa më shpejt.

Regjistrimi i diasporës shkencore shqiptare Evidentimi dhe regjistrimi i kërkuesve shkencorë (specialistëve) shqiptarë që jetojnë në vende të tjera duhet të bëhet në një regjistër të posaçëm (bazë të dhënash) e cila duhet përditësuar vazhdimisht. Ky regjistër duhet të mbahet nga një zyrë përkatëse në Ministrinë e Arsimit dhe aty duhet të kenë qasje edhe ministri të tjera. Regjistri duhet të përmbajë si të dhëna bazë gjeneralitetet e personit, gradën shkencore, fushën e specializimit, universitetet ku personi ka studiuar, dhe vendin aktual të punës. Instituti Alb-Shkenca ka bërë hapat e para në këtë drejtim, dhe me specialistë të mirënjohur të teknologjisë së informacionit mundet të ndihmojnë autoritetet shtetërore në këtë proces të regjistrimit.

Integrimi i diasporës shkencore shqiptare në projektet e zhvillimit të qeverive tona Integrimi i diasporës shkencore shqiptare mund të bëhet në disa forma. Së pari, zhvillimi i projekteve afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit nga qeveritë tona duhet të bëhet me konsulencë specifike nga këta specialistë të ekonomisë, drejtësisë, mjedisit, bujqësisë, teknologjisë së informacionit dhe fushave të tjera, ose grupe/komisione të përbashkëta specialistësh ku të përfshihen specialistë shqiptarë nga diaspora. Varësisht nga modeli që mendohet si më i përshtatshëm, mundet të krijohen qendra ekselence ose grupe këshillimore të përhershme pranë ministrive përkatëse që mund të japin mendimin e tyre me kërkesë të qeverisë mbi një çështje të caktuar. Kjo është një praktike e zakonshme që ndiqet nga qeveria e Holandës dhe qeveri të tjera në lidhje me çështje të së drejtës dhe politikës ndërkombëtare.

Integrimi i diasporës shkencore shqiptare në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor Integrimi i diasporës shkencore shqiptare në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor ka nevojë për mbështetje në dy drejtime, së pari krijimin e procedurave institucionale transparente dhe mbështetjes përkatëse institucionale për mundësimin e vizitave studimore nga persona që kanë interes si dhe krijimin e një infrastrukture teknologjike/laboratorike që mundëson punë kërkimore shkencore të nivelit të lartë. Ministritë e Arsimit në bashkëpunim me rektoratet dhe fakultetet përkatëse kanë mundësi që të krijojnë kushtet e nevojshme që kërkues shkencorë nga diaspora të kenë mundësi të vijnë në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor për vizita të kohëzgjatjeve të ndryshme, për cikle leksionesh të hapura, apo punë kërkimore shkencore të përbashkët.

Me shumë rëndësi për kërkimin shkencor dhe teknologjik është ngritja e një laboratori qendror modern të akredituar e të pajisur me aparatura dhe teknologji të fundit bashkëkohore, i cili do të mundësonte që kërkues shqiptarë nga vendet amë dhe nga diaspora të kryejnë së bashku kërkim shkencor të ngjashëm me atë që kryhet në vendet e zhvilluara. Qendra laboratorike e kërkimit mund të financohet bashkërisht nga qeveria e Shqipërisë, e Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe me fonde të organizmave ndërkombëtare. Qendra mund të administrohet nga një institucion kombëtar ose  ndërkombëtar i specializuar. Krijimi i kësaj Qendre krijon mundësinë që teknika analitike të avancuara të funksionojnë në vendet tona duke kursyer shuma të konsiderueshme që shpenzohen nga universitetet dhe institutet për të blerë aparatura që jo gjithmonë janë në gjendje pune dhe të akredituara. Të dhënat shkencore që do të gjenerohen nga kjo Qendër do të përdoren për gjenerimin e patentave të ndryshme, për publikimin e artikujve shkencorë në revista të njohura ndërkombëtare, si dhe për të përpiluar projekte shkencore konkurruese. Instituti Alb-Shkenca mund të ndihmojë në hartimin e projektit të organizimit të kësaj Qendre dhe në gjetjen e administratorit dhe sponsorëve për këtë Qendër moderne laboratorike.  

Nxitja e kthimit të trurit dhe bashkëpunimi me diasporën shkencore Është e qartë që shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet kërkuesve shkencorë nga diaspora me ata nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia është me përfitim të dyanshëm. Sot ka të paktën rreth 600-700 persona me grada shkencore që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendet perëndimore, si SHBA, Itali, Holandë, Gjermani, vendet nordike e me radhë, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë për periudha të ndryshme kohore në vendet tona, në qoftë se  ekzistojnë procedurat dhe strukturat përkatëse institucionale që e mundësojnë këtë shkëmbim.  Mungesa e vazhdueshme e komunikimit institucional mes Ministrive përkatëse të shteteve tona dhe diasporës shkencore është faktori kryesor që pengon bashkëpunimin me interes të ndërsjellë. Në këto rrethana, dhe derisa të krijohen resurse adekuate në kuadër të ministrive, konsiderojmë se Instituti Alb-Shkenca do të mund të luante rolin e ndërmjetësuesit në nxitjen e “qarkullimit të stafit akademik dhe dijes”.  Për të realizuar këtë objektiv, propozojmë që ministritë e arsimit të shteteve tona të ofrojnë “grante speciale” të vazhdueshme për këto qëllime specifike: 1. Profesorëve shqiptarë nga 150 universitetet më të mira në  botë (sipas listës Shanghai, Times Higher Education, apo Leiden; ose edhe nga 500 universitetet më të mira, varësisht nga buxheti), mund t’ju ofrohen pozita akademike si “Profesor vizitor” (një semestrale) në njërin nga universitetet tona. Kështu do të realizohej së paku “kthimi i përkohshëm i dijes” (Brain Gain i përkohshëm ). 2. Të sigurohen bursa për një numër të caktuar studentësh të doktoraturës, të cilët do të përzgjidhen nga institucionet përkatëse të shteteve tona, dhe këta studentë të dërgohen për studime të doktoraturës për t’u udhëhequr në studimet e tyre nga profesorët tanë në 150 universitetet më të mira të botës. Kështu do të realizohej së paku “kthimi i pjesshëm i dijes” (Brain Gain i pjesshëm). 3. Të gjithë studentëve shqiptarë që kanë mbaruar studimet e doktoraturës në 100 universitetet më të mira në botë, ministritë përkatëse t’ju ofrojnë kontrata të menjëhershme të punës, për një periudhë 1-2 vjeçare në ndonjërin nga institucionet arsimore-shkencore. Gjatë kësaj periudhe kohore ata do të mund të punësoheshin në mënyrë të përhershme përmes konkursit dhe sipas dëshirës së tyre në ndonjërin nga institucionet e arsimit të lartë ose shkencës në shtetet përkatëse. Kështu do të realizohej “kthimi i përhershëm i dijes” (Brain Gain i përhershëm).

Përfundime Me mundësitë bashkëkohore të komunikimit dhe të teknologjive të reja çështja nuk shtrohet më si rrjedhje apo fitim i trurit, por si qarkullim i trurit! Shpejtësia e zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe qëndrueshmëria e këtij zhvillimi varet shumë nga hapat institucionale që do të ndërmerren për ta integruar dhe mbajtur këtë kapital njerëzor të diasporës intelektuale shqiptare të lidhur me vendet amë. Diaspora shqiptare dhe veçanërisht diaspora shkencore do te mbetet përherë partner i padiskutueshëm për zhvillimin e kombit shqiptar dhe përfaqësues i tij në botë.

Instituti ynë është i hapur për bashkëpunim dhe partneritet në këtë drejtim. Ju faleminderit për vëmendjen dhe për kohën tuaj!

Për Institutin Alb-Shkenca

Prof. Dr. Gentian Zyberi, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit (Universitetet i Oslo, Norvegji); Prof. Dr. Niko Qafoku, Drejtor Nderi i Institutit (Pacific Northwest National Laboratory, SHBA); Dr. Eshref Januzaj, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Institutit (Technische Universität München, Gjermani); Prof. Dr. Fatos Ylli, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit (Universiteti i Tiranës, Shqipëri); Prof. Dr. Bajram Berisha, Anëtar i Administratës Qendrore (Universiteti i Prishtinës, Kosovë; Technische Universität München, Gjermani).

on 24 November 2016
Hits: 1170