Instituti Alb-Shkenca organizon Takimin XXI Vjetor Ndërkombëtar Shkencor

Instituti Alb-Shkenca organizon Takimin XXI Vjetor Ndërkombëtar Shkencor

22 Gusht, 2026 Mbyllur By administruesi

Instituti Alb‑Shkenca, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës si dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, organizon Takimin XXI Vjetor Ndërkombëtar Shkencor, i cili do të mbahet në Prishtinë, më 16–17 tetor 2026, me temën qendrore “Shkenca: Përgjegjësi dhe e Mirë Publike”.

Takimi synon të afirmojë shkencën si vlerë shoqërore dhe si përgjegjësi publike, duke theksuar rolin e saj në zhvillimin etik, ekonomik, kulturor dhe teknologjik të shoqërisë. Në kontekstin e sfidave globale, transformimeve digjitale dhe nevojës për qasje të hapur dhe të përgjegjshme ndaj dijes, ngjarja ofron një platformë të gjerë për diskutim shkencor dhe bashkëpunim akademik.

Programi i Takimit strukturohet në katër panele tematike:

  • Shoqëria, gjuha, kultura dhe identiteti në epokën digjitale;
  • Qeverisja, e drejta, ekonomia dhe politikat publike;
  • Inovacioni, shkenca dhe teknologjitë e së ardhmes;
  • Shëndeti, mjedisi, arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Konferencat shkencore paralele do të mundësojnë prezantimin e punimeve sipas fushave përkatëse, ndërsa përmbledhjet e pranuara do të publikohen në Librin e Përmbledhjeve të Takimit XXI. Punimet e plota mund të dorëzohen pas ngjarjes për botim në revistën shkencore AKTET.

Instituti Alb‑Shkenca dhe Universiteti i Prishtinës ftojnë studiuesit, akademikët dhe profesionistët të dorëzojnë përmbledhjet e punimeve deri më 5 shtator 2026, sipas udhëzimeve të publikuara në faqen zyrtare të Takimit.

Për më shumë, mund të ndiqni drejtpërdrejt seksionin informues në: faqen zyrtare të Takimit XXI.

Shpërndani artikullin: