KUR BASHKOHET DIJA, FITON SHKENCA DHE PËRFITON VENDI! Mbrëmë, përtej k…
24 Nëntor, 2026KUR BASHKOHET DIJA, FITON SHKENCA DHE PËRFITON VENDI!
Mbrëmë, përtej kufijve shtetërorë dhe largësive gjeografike, po të bashkuar nga përgjegjësia shkencore dhe përkushtimi ndaj së mirës publike, anëtarët e Administratës Qendrore të Institutit Alb-Shkenca u takuan për të shqyrtuar e bashkërenditur përgatitjet për Takimin XXI Vjetor Ndërkombëtar, që do të mbahet më 4 dhe 5 dhjetor 2026, në Prishtinë.
Në këtë bashkëbisedim të dijes dhe të miqësisë shkencore, Nikoja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gentiani nga Norvegjia, Ardiani, Fatosi, Shpresa dhe Ylli nga Shqipëria, Bashkimi dhe Mentori nga Maqedonia e Veriut, së bashku me nikoqirët e Takimit XXI, Aliun, Vehbiun, Muhaberen dhe Musain, dëshmuan edhe një herë se shkenca nuk njeh kufij kur njerëzit e dijes bashkohen rreth qëllimeve të përbashkëta.
Ishte një takim pune, po edhe një dëshmi e asaj që Instituti Alb-Shkenca ka kultivuar për gati një çerek shekulli: bashkimin e mendjeve, përvojave dhe vullneteve të mira, jo thjesht për të shkëmbyer njohuri, po për ta shndërruar dijen në vlerë të përbashkët dhe në dobi konkrete për shoqërinë.
Këtë vit, Instituti Alb-Shkenca ka bashkuar forcat me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke pasur në krah edhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, për të mirëpritur shkencëtarë, studiues, profesorë dhe studentë nga hapësira shqiptare dhe diaspora shkencore gjithandej botës.
Nën temën bosht “Shkenca: Përgjegjësi dhe e Mirë Publike”, Takimi XXI synon të jetë më shumë se një ngjarje akademike. Ai synon të dëshmojë se shkenca e përmbush misionin e saj atëherë kur dija bashkohet me përgjegjësinë, mendimi me veprimin dhe arritjet individuale me interesin e përgjithshëm.
Shpresojmë fort dhe besojmë po aq fort se do t'ia dalim! Jo se organizimi i një veprimtarie të tillë është i lehtë, po se pas tij qëndrojnë njerëz që besojnë në fuqinë e dijes, në vlerën e bashkëpunimit dhe në përgjegjësinë për t'i shërbyer vendit.
Në Prishtinë, më 4 dhe 5 dhjetor, do të bashkohen edhe një herë brezat e shkencës: ata që kanë lënë gjurmë, ata që vazhdojnë të krijojnë dije dhe të rinjtë që po ecin në udhën e mbarë të kërkimit shkencor.
E bashkimi i dijes e fuqizon mendimin, bashkimi i mendimeve të mira e nxit veprimin dhe bashkimi i veprimeve të përgjegjshme e sjell të mirën e vendit.
Mirë se vini në Takimin XXI!
ARC

