Historiku

3 Shkurt, 2021 Mbyllur Publikuar nga administruesi

Instituti Alb-Shkenca si vendi virtual i komunikimit mes studiuesve shqiptarë kudo nëpër botë, lindi filli­misht në tetor të vitit 20021. Themelues kryesor i saj është studiuesi nga Shqipëria Prof. Dr. Niko Qafoku, i cili prej shumë vitesh jeton dhe punon në SHBA. Në bashkëpunim me z. Mentor Cana, drejtues i platformës virtuale alb-net.com, Dr. Qafoku mundësoi dhe realizoi krijimin e forumit [email protected]. Fillimisht në forum u përfshinë të njohur e bashkëpunëtorë të Dr. Qafokut, të cilët ai gra­dualisht i ftoi të mblidheshin e të shkëmbenin informacione e të zhvillonin diskutime të natyrës shkencore e me interes dhe për shoqërinë shqiptare. Qysh prej asaj kohe numri i pjesëmarrësve dhe numri i diskutimeve dhe postimeve në forum u rrit dukshëm. Forumi vazhdoi punën e vet në rrje­dhën normale virtuale deri në fund të vitit 2004.

Gjatë periudhës 2002–2004 u bënë përpjekjet e para për organizimin e punës brenda forumit me krijimin e një bordi koordinues, përgatitjen e një formulari për regjistrimin e anëtarëve të rinj, fillimin e publikimit të një buletini shkencor, me shpërndahrje në forum. Eshref Januzaj, informaticien mes anëtarëve të forumit, u angazhua për përgatitjen e formularit të regjistrimit dhe menaxhimin e databazës së krijuar e cila kishte për synim që të dhënat që merreshin nga anëtarët, të shfrytëzoheshin për të parë se çfarë seksionesh shkencore mund të kishte forumi dhe cilat degë gjeografike, e gjithashtu për të pasur një orientim mbi institucionet në të cilat ishin të punësuar anëtarët që do të ishte dhe një tregues më shumë për cilësinë e forumit.

Gjatë muajve të parë të vitit 2003 erdhi ideja e botimit të një lloj përmbledhje lajmesh (newsletter) me shkrimet më të mira të muajit në forum dhe lajme të tjera shkencore. Numri i parë i Buletinit të Alb-Shkencës me 4 faqe doli dhe u shpër­nda në listë qysh prej qershorit 2003 me frekuencë mujore. Më pas numri i faqeve u shtua deri në 16-20 dhe ai u botua rregullisht deri në mars 2006 kur u mendua dhe u vendos të kalohej në një organ më të gjerë e gjithëpërfshirës. Në qershor 2006, rreth 1 vit e gjysëm pas fillimit të punës përgatitore për themelimin e Institutit Alb-Shkenca, doli numri i parë i revistës ANASH-Approaching Science. Me përgatitjen e buletinit dhe më pas të revistës ANASH u angazhua qysh në fillim Roland Leli, i cili edhe sot e kësaj dite është përgjegjës për përgatitjen grafike të të gjitha publikimeve të Institutit Alb-Shkenca. Deri më tani janë botuar 9 numra të revistës ANASH-Approaching Science.2

Me kalimin e kohës u dhanë disa mendime që Alb-Shkenca të rritej në formë më të organizuar, por formë serioze kjo përpjekje mori pas një mesazhi të dërguar nga Albert Nikolla, në atë kohë student doktorature në Itali. Pas këtij mesazhi, Dr. Qafoku dërgoi një thirrje në adresë të gjithë anëtarëve të forumit Alb-Shkenca që të gjithë të kishin mundësinë të shprehnin interesin e tyre për t’u përfshirë konkretisht në procesin e institucionalizimit të Alb-Shkencës dhe daljes së saj nga virtualiteti. Në rast shfaqje interesi të konsiderueshëm nga ana e tyre, do të fillonte konkretisht puna për të hedhur hapat e nevojshëm drejt institucionalizimit të Alb-Shkencës.

 

Institucionalizimi i Alb-Shkencës dhe lista e punës 2005- 2006

Thirrjes për institucionalizimin e forumit online iu përgji­gjën disa anëtarë dhe Dr. Qafoku krijoi një listë pune e cila deri në datë 3 shkurt 2005 kishte këta anëtarë: Niko Qafoku, Albana Rexhepaj, Zamir Libohova, Albert Nikolla, Ardian Harri, Robert Duçellari, Lindita Komani, Roland Leli, Neim Rustemi. Roland Leli dhe Neim Rustemi bashkë me Niko Qafokun kishin punuar deri në atë kohë për mbarëvajtjen e forumit e më pas edhe të portalit të Alb-Shkencës, i cili u krijua në vitin 2004. Në muajin shkurt listës iu shtua edhe Lefter Daku. Në muajin prill asaj iu shtuan Ilir Hoxha dhe Ilirjana Bajraktari, të cilët u ftuan nga Lindita Komani, me qëllim për të pasur dhe persona përfaqësues nga Kosova. Gjithashtu në muajin prill 2005 listës së punës iu shtua dhe Gentian Zyberi, i cili u ftua nga Niko Qafoku. Me kalimin e muajve disa nga anëtarët u larguan. Në fillim të vitit 2006 lista kishte ende në përbërje këta persona: Niko Qafoku, Ardian Harri, Lindita Komani, Gentian Zyberi, Neim Rustemi, Roland Leli, Ro­bert Duçellari. Në mes të vitit 2006 prej listës së punës u tërhoq Robert Duçellari.

 

Hartimi i statutit dhe planit të punës

Më 9 korrik të vitit 2005, pas disa muajsh pune për hartimin e një teksti bazë për statutin e organizatës që po krijohej, grupi i punës kryesuar nga Gentian Zyberi (jurist) paraqiti në forumin Alb-Shkenca dy versione për statutin dhe ftoi anëtarët e forumit që të jepnin mendimet e tyre për ndryshime thelbësore në tekstin që u paraqitej. Për tekstin e përmirësuar më pas do të organizohej një votim për të marrë një miratim përfundimtar. Në të njëjtën ditë u bë me dije se një grup prej tre personash brenda grupit të punës kishte nisur me përgatitjen e një plan biznesi për organizatën që po krijohej. Anëtarët e forumit përsëri u ftuan të marrin pjesë në përgatitjen e këtij plani si dhe të jepnin mendimet e tyre mbi të ardhmen e Alb-Shkencës, mbi projektet konkrete që ata mendonin për periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

 

Votimi i statutit dhe planit të punës

Në fund të vitit 2005, grupi i punës për themelimin e Institutit Alb-Shkenca, dërgoi variantet e përmirësuar të statutit dhe planit të punës dhe bëri me dije procedurën që do të ndiqej për votimin mbi këta dy dokumente bazë. Ajo do të përbëhej nga 3 faza: (1) regjistrimin e të interesuarve pranë grupit administrues, të cilët përmes këtij ve­primi shprehnin vullnetin e tyre për t’u kthyer në anëtarë të Institutit Alb-Shkenca; (2) realizimin e votimit, në të cilin do të lejoheshin të merrnin pjesë vetëm ata që do të shprehnin dëshirën për t’u bërë anëtarë, dhe; (3) numërimin e shpalljen e rezultatit përfundimtar të votimit.

Në periudhën 16 dhjetor 2005-16 janar 2006 u mblodhën kërkesat për regjistrim të anëtarëve të forumit Alb-Shkenca, proces i ndihmuar nga vënia në dispozicion e një formulari elektronik. Regjistrimi u zgjat deri më 10 shkurt. Kriteret për pranim ishin që kandidati për anëtar të kishte mbushur moshën 18 vjeç, të ishte duke kryer ose t’i kish kryer studimet pasuniversitare, apo të merrej me kërkim shkencor dhe/ose mësimdhënie në nivel universitar.

Votimi për statutin dhe planin e punës u hap në datë 12 shkurt dhe zgjati deri në datën 28 shkurt 2006 dhe ishte plotësisht transparent. Numërimi i votave tregoi që statuti dhe plani i punës u miratuan.

 

Votimi për zgjedhjen e Bordit Drejtues të Institutit Alb-Shkenca

Në muajt pasues, nga marsi deri në qershor, grupi i punës (grupi administrues) punoi mes të tjerash për përgatitjen e procesit të zgjedhjeve për Bordin Drejtues të Institutit, i cili sipas statutit fillestar do të përbëhej nga tetë kryetarët e seksioneve shkencore të Institutit dhe sekretarit të përgjithshëm.

Procesi i votimit u hap në datë 27 qershor dhe u mbyll në fund të muajit nëntor 2006. Ai pati disa faza dhe përsëritje të votimit në dy seksione shkencore. Zgjedhjet për kryetarë të seksioneve shkencore nxorën fitues për:

Seksionin e Historisë, Kulturës, Filologjisë: Dr. Begzad Baliu

Seksionin e Shkencave Shoqërore: z. Albert Nikolla (u caktua si një zgjidhje afatshkurtër në Takimin I të Alb-Shkencës në gusht 2006 nga anëtarët e seksionit të shkencave shoqërore, për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me procesin zgje­dhor që nuk po gjente zgjidhje)

Seksionin e Shkencave të Natyrës: Dr. Robert Magari

Seksionin e Shkencave Mjekësore: Dr. Naim Shabani

Seksionin e Shkencave Ekonomike: Dr. Ardian Harri

Seksionin e Shkencave të Tokës, Bujqësisë dhe Mjedisit: Dr. Niko Qafoku

Seksionin e Shkencave Inxhinierike dhe Teknologjisë: Dr. Petraq Papajorgji

Seksionin e Shkencave të Drejtësisë: z. Gentian Zyberi

 

Në nëntor 2006 kryetarët e zgjedhur të seksioneve shkencore bazuar në statutin e miratuar të organizatës që po krijohej, zgjodhën si Drejtor të Institutit Dr. Niko Qafoku dhe si Sekretare të Përgjithshme znj. Lindita Komani.

 

Regjistrimi i Institutit Alb-Shkenca

Në muajt pasues nga anëtarët e Institutit Alb-Shkenca në Tiranë u bënë përpjekje për regjistrimin e organizatës pranë organeve përkatëse. Regjistrimi në Gjykatën e Tiranës ndodhi në fillim të muajit mars 2007. Në një e-mail të datës 12 mars 2007 adresuar anëtarëve të forumit dhe të Institutit Alb-Shkenca bëhet me dije sa vijon:

 

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë që javën e kaluar përfundoi procesi i legalizimit dhe regjistrimit të Institutit Alb-Shkenca në Gjykatën e Tiranës.  Shumë shpejt Instituti do të legalizohet dhe regjistrohet edhe në Gjykatën e Prishtinës.

Falënderojmë të gjithë kolegët në Shqipëri dhe Kosovë që u morën dhe po merren me këtë punë.  Kjo arritje nuk ishte e lehtë dhe për të u desh angazhimi serioz i kolegëve të Tiranës dhe Prishtinës.

Në veçanti falënderojmë Prof. Evan Rroçon për ndjekjen nga afër të të gjithë procesit të legalizimit të Institutit në Tiranë, dhe Prof. Jahja Kokaj dhe Dr. Begzad Baliun për ndjekjen e punëve të legalizimit të Institutit në Kosovë.

Regjistrimi i Institutit në Gjykatën e Tiranës i hap rrugën fillimit të aktivitetit të tij si institucioni i parë shkencor ku janë anëtarësuar studiues shqiptarë të degëve te ndryshme shkencore nga (ose me origjinë nga) Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Veçori dalluese e këtij institucioni mbarëshqiptar është se aty janë anëtarësuar edhe studiues dhe pedagogë me origji­në shqiptare që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në institucione shkencore apo akademike nga më të mirat në botë.

E organizuar në Institutin Alb-Shkenca, diaspora shkencore shqiptare do të ketë mundësi që të kontribuojë në zhvillimin e shkencës dhe arsimit të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, në bashkëpunim të ngushtë me studiuesit dhe peda­gogët e institucioneve shkencore dhe akademike shqiptare.