Fjalimi i kryetarit të përgjithshëm i IASH-së me rastin e Takimit të 20-të Vjetor të Institutit Alb-Shkenca në Tiranë

Fjalimi i kryetarit të përgjithshëm i IASH-së me rastin e Takimit të 20-të Vjetor të Institutit Alb-Shkenca në Tiranë

26 Shtator, 2025 Mbyllur Publikuar nga administruesi

26 shtator 2025

Gentian ZYBERI

Kontributi i Diasporës shkencore për integrimin në hapësirën evropiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë në trojet shqiptare

Zonja dhe zotërinj, e nderuar znj zëvendësministre e arsimit, i nderuar kryetar dhe anëtarë të Akademisë, rektorë të nderuar, të dashur kolegë dhe bashkëpunëtorë të Institutit Alb-Shkenca,

Është një nder i veçantë të ndajmë së bashku këtë moment historik, Takimin e 20-të Vjetor të Institutit Alb-Shkenca, një jubile që dëshmon angazhimin dhe vizionin tonë të përbashkët për dy dekada. Është kënaqësi që dy Takimet e fundit i kemi organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, dhe falënderoj kryetarin e Akademisë dhe ekipin e tij për këtë bashkëpunim. Takimet tona vjetore në Tiranë janë organizuar me mbështetjen e Universitetit të Tiranës, ku konferencat shkencore në ditën e dytë janë organizuar pranë ambienteve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Falënderoj rektorin e Universitetit të Tiranës dhe dekanen e FSHN-së për këtë mbështetje.

Unë jam Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit të Oslos, drejtor i Qendrës Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut, dhe drejtor i këshillit shkencor të Agjencisë për të Drejtat Themelore të Bashkimit Evropian. Kam pasur kënaqësinë që ta drejtoj Institutin Alb-Shkenca këto 11 vitet e fundit, që nga Takimi 9 i mbajtur në Prishtinë.

Tema e Takimit tonë sot, “Kontributi i Diasporës shkencore për integrimin në hapësirën europiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë gjithëshqiptar”, është thelbësore për të ardhmen tonë akademike dhe kombëtare. Vizioni i arsimit të lartë shqiptar është që të bëhet i njohur për ekselencën akademike dhe inovacionin. Ndjekja e integrimit në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Kërkimit Shkencor (ERA) është një synim i qartë strategjik. Në këtë fjalë dëshiroj të trajtoj tre pika kryesore, gjegjësisht, përfshirjen e diasporës shkencore shqiptare në strategjitë e zhvillimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor; së dyti kontributin e diasporës shkencore këto 20 vitet e fundit; dhe, së treti, sugjerimin e disa hapave konkretë për ta integruar këtë diasporë në përpjekjet për integrimin në hapësirën europiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë gjithëshqiptar.

I. Analiza e Diasporës Shkencore Shqiptare dhe Përfshirja e Saj
Dokumentet strategjike dhe analizat e fundit e pranojnë rëndësinë e diasporës akademike si një motor kyç për zhvillim. Megjithatë, duhet theksuar se, bazuar në analizën e dokumenteve të Bashkimit Evropian, UNESCO-s dhe Bankës Botërore në dispozicion, nuk kemi shifra të konsoliduara dhe të sakta mbi numrin total të diasporës shkencore shqiptare dhe përfshirjen e saj specifike në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Ajo që theksohet është se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në sektorin e arsimit të lartë që nga reforma e vitit 2015, me synimin për të përafruar standardet me ato të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Kërkimit Shkencor (ERA). Përpjekjet aktuale të Shqipërisë drejt EHEA dhe ERA ofrojnë një kornizë për lëvizshmërinë e studiuesve dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, të cilat janë thelbësore për përfshirjen e diasporës sonë shkencore. Nivelet e punësimit të studentëve shqiptarë në Evropë janë në shkallë të krahasueshme me ato të vendeve pritëse, duke dëshmuar kualifikimet që zhvillohen jashtë vendit. Po ashtu, është pranuar se partneriteti me ekselencën e diasporës akademike do të japë rezultate të shpejta në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor gjithëshqiptar.

II. Kontributi i Diasporës Shkencore Shqiptare në 20 Vitet e Fundit
Për më se dy dekada, diaspora shkencore ka luajtur një rol jetik, shpeshherë nëpërmjet nismave individuale ose organizative, përkundrejt kornizave të kufizuara të financimit të kërkimit shkencor nga qeveritë përkatëse. Kërkimi shkencor në institucionet e arsimit të lartë ka qenë më tepër një veprimtari që varej nga nismat individuale. Megjithatë, puna e diasporës ka kontribuar në:

1. Përafrimin me Standardet Ndërkombëtare: Përmes studimeve të pjesshme ose të plota pranë universiteteve perëndimore, falë programeve ndërkombëtare ose kombëtare, apo përpjekjeve individuale të specialistëve, është sjellë një cilësi e rritur në auditorët shqiptarë.

2. Integrimin në institucionet e arsimit të lartë: Integrimi në sistemin universitar, publik dhe privat, pas vitit 2000 i studentëve shqiptarë që kishin përfunduar studimet jashtë vendit, ka krijuar një dinamikë të re.

3. Zhvillimin e Kapaciteteve: Angazhimi i lektorëve shqiptarë në universitete të ndryshme evropiane në kuadër të marrëveshjeve si Erasmus+ ka ndikuar pozitivisht në këtë aspekt. Vlen të theksohet angazhimi i diasporës (profesorë, studiues) në hartimin e dokumenteve të politikave (shiko hartimin e Dokumentit të Politikave për Arsimin e Lartë 2030, me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Raportin e Reformës së Arsimit të Lartë 2014, i cili studioi sisteme të ndryshme të arsimit të lartë në rajon, Evropë dhe vende të tjera).

Aktivitetet e Institutit Alb-Shkenca, përgjatë këtyre 20 viteve, duke bashkuar kërkuesit shkencorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe nga diaspora, përmes organizimit të Takimeve Vjetore dhe botimeve shkencore ka shërbyer si një urë e pazëvendësueshme lidhëse për shkëmbimin e eksperiencave të reja, duke i dhënë arsimit të lartë gjithëshqiptar një shtysë pozitive. Më shumë mbi këtë dhe disa shifra do t’i japë Eshref Januzaj, zv drejtori i përgjithshëm i IASH-së.

III. Hapa Konkretë për Integrimin e Diasporës Shkencore
Për të integruar plotësisht diasporën shkencore shqiptare në kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë mbarëshqiptar, qeveritë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, dhe universitetet tona duhet të ndërmarrin hapa konkretë, të cilët tashmë reflektohen në strategjitë dhe objektivat e politikave, veçanërisht në Shqipëri, me fokus tek zhvillimi i qëndrueshëm dhe integrimi në BE.

A. Roli i Qeverive (Ministrive dhe Agjencive Përkatëse)
1. Krijimi i Mekanizmave të Dedikuara: Duhet synuar angazhimi afatshkurtër dhe afatgjatë i diasporës akademike në institucionet e arsimit të lartë. Është thelbësore që brenda Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI) të krijohet një njësi e veçantë:
◦ Për të identifikuar diasporën akademike, veçanërisht ata të doktoruarit në vendet e BE-së dhe Amerikës Veriore.
◦ Për të krijuar regjistra sipas profileve shkencore.
◦ Për t’i mbajtur ata në kontakt nëpërmjet informacioneve të vazhdueshme.
◦ Për të bashkërenduar me Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në vend për t’i ftuar, përfshirë dhe tërhequr këtë ofertë të jashtëzakonshme. Shembulli i programit READ Albania mbështetur nga AADF-ja dhe nga qeveria shqiptare është një model shumë i mirë që mund të ndiqet nga universitetet tona, nqs ekziston vullneti i nevojshëm. Unë kam qenë vetë pjesë e këtij shkëmbimi në vitin 2023, pranë Fakultetit të Drejtësisë, duke organizuar me kolegët një konferencë të madhe shkencore, disa leksione, një seminar me doktorantë, dhe iniciuar dy punime shkencore si bashkëautor.

2. Mbështetja Financiare për Bashkëpunime: Duhet të investohet për projekte të përbashkëta dhe aplikime në fondet evropiane në bashkëpunim me akademikët e diasporës. Një rol shumë i rëndësishëm i jepet diasporës akademike, tërheqja e së cilës do të jetë një garanci për arritjen e objektivave kombëtare të kërkimit shkencor dhe inovacionit.
3. Incentiva dhe Tërheqje e Stafit: Të krijohen kushte për tërheqjen e një stafi akademik sa më të kualifikuar, sidomos atyre të diasporës, për të qenë të pranishëm në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni të Veriut, në forma të ndryshme, me qëllim që të rritet cilësia e studimeve kërkimore shkencore.

B. Roli i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL)
1. Përfshirja në Karrierën Akademike: IAL-të duhet të gjejnë rrugë për të tërhequr diasporën shqiptare jo vetëm si vizitorë, por edhe që të angazhohen në forma të ndryshme:
◦ Si pedagogë me kohë të plotë ose të pjesshme.
◦ Si bashkëautorë studimesh shkencore.
◦ Si bashkëmentorë të studentëve të doktoratës.
◦ Si vizitorë me kohë të pjesshme, ose të ftohen për të marrë pjesë në seminare dhe leksione të hapura.

2. Ndërkombëtarizimi dhe Standardet e Cilësisë: IAL-të duhet të fuqizojnë stafin akademik dhe të forcojnë bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare. Diaspora akademike mund të ofrojë ndihmë të veçantë në zhvillimin e programeve të reja të studimit në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe prioritetet kombëtare.

3. Vlerësimi i Cilësisë: Duhet të rritet pjesëmarrja e diasporës akademike në proceset e vlerësimit të jashtëm dhe të brendshëm të cilësisë, duke kontribuar në përmirësimin e standardeve ndërkombëtare. Tërheqja e një stafi akademik ekselent, përfshirë ata të doktoruar jashtë në universitete të njohura evropiane dhe më gjerë, është një objektiv kryesor drejt vitit 2030 për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

 

Përfundimi
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur kolegë të Institutit Alb-Shkenca,

Për 20 vite, së bashku kemi ndërtuar një urë thelbësore midis dijes dhe atdheut, duke e mbajtur gjallë vizionin e një hapësire shkencore mbarëshqiptare.
Angazhimi i diasporës akademike është një garanci e rëndësishme për arritjen e objektivave të përafrimit të Shqipërisë (dhe trojeve shqiptare) me Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA). Arsimi i lartë shqiptar drejt vitit 2030 duhet të jetë i orientuar drejt inovacionit, cilësisë dhe gjithëpërfshirjes, dhe pa kontributin tuaj, ky transformim do të ishte i pamundur.

Integrimi i qenësishëm i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor mes vetë Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe përfshirja e diasporës shkencore krijojnë premisat e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve dhe shoqërive tona. Nqs mund të përdor një simbol kombëtar për fushën tonë, shqiponja dykrenore nuk mund të jetë e plotë pa diasporën shkencore shqiptare. Ndonëse të integruar në institucione arsimore perëndimore, shumë prej nesh kanë dëshirën dhe vullnetin e mirë për të vazhduar për të punuar së bashku në partneritet.

Me rastin e këtij Takimi të 20-të, dëshiroj të shpreh falënderimet më të thella për secilin prej jush, për kohën, dijen dhe pasionin e palodhur, sidomos për administratën tonë qendrore, që përfshin kryesinë dhe degët gjeografike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Dua të falënderoj veçanërisht Profesorët Ardian Maçi, Fatos Ylli dhe koordinatoren e Takimit, Shpresa Caslli, dhe operatorin e sistemit ALPA, Eshref Januzaj, për punën e palodhur për organizimin. Po ashtu, falënderime shkojnë për kryetarët e seksioneve shkencore, Kristaq Jorgon, Bashkim Ziberin, Musa Rizajn, Evan Rroçon, dhe Alketa Hoxhën. Dhe për kryetarin e nderit të IASH-së, Niko Qafokun për iniciativën para rreth 20 vjetësh dhe afrimit rreth vetes të një ekipi që ka qëndruar për dy dekada!

Ne jemi të bindur se, me angazhimin e plotë të të gjithë aktorëve – qeverive, institucioneve arsimore, studentëve dhe shoqërisë civile, si dhe me energjinë tuaj—arsimi i lartë do të bëhet shtylla kryesore e zhvillimit të mëtejshëm të vendit.

Urime 20-vjetorin! Uroj që të jemi së bashku për shumë vite të tjera në shërbim të shkencës, kombit shqiptar, forcimit të bashkëpunimit me partnerët tanë evropianë, dhe integrimit të suksesshëm në EHEA dhe ERA të arsimit ë lartë dhe kërkimit shkencor gjithëshqiptar!

 

Ju faleminderit!

Gentian Zyberi
Kryetar i përgjithshëm i IASH-së

 

 

Shpërndani artikullin: