Rekomandime lidhur me integrimin e diasporës shkencore shqiptare në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor mbarëshqiptar
9 Nëntor, 2025
Të nderuar z Kryeministër, Ministre e arsimit dhe shkencës, Kryetar i Akademisë së Shkencave, Rektorë të universiteteve publike dhe jopublike,
Uroj që të jeni mirë me shëndet dhe me punë.
Instituti Alb-Shkenca (IASH), si një organizatë shkencore mbarëshqiptare, organizon prej 20 vjetësh takime vjetore shkencore ndërkombëtare në kryeqendrat tona, në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, përmes degëve të tij gjeografike në tri shtetet përkatëse. Këtë vit, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin e Tiranës, IASH organizoi Takimin XX Vjetor Ndërkombëtar me temë: “Kontributi i Diasporës shkencore për integrimin në hapësirën europiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë gjithëshqiptar” më 26 – 27 Shtator 2025.
Dokumenti bashkëngjitur, bazuar në prezantimet e diskutimet gjatë Takimit të XX-të, përfshin rekomandime konkrete për integrimin e diasporës shkencore shqiptare në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor mbarëshqiptar, në funksion të rritjes së cilësisë dhe integrimin e institucioneve tona të arsimit të lartë në Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA) dhe në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Dokumenti fillon me një përshkrim krejt të shkurtër të IASH-së. Pastaj preket shkurt kontributi i diasporës shkencore shqiptare në dy dekadat e fundit, para se të kalohet në rekomandimet konkrete për qeveritë dhe ministritë linjës, universitetet dhe institucionet shkencore përkatëse.
Këto rekomandime bazohen në përpjekjet për të përfshirë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor gjithëshqiptar në kuadër të ERA dhe EHEA, dhe janë në përputhje me dokumentet strategjike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Instituti ynë mbetet i hapur për t’i diskutuar këto rekomandime me ju dhe për të kontribuar në zbatimin e tyre në praktikë.
Me respekt, në emër të IASH-së,
Gentian Zyberi
Kryetar i përgjithshëm
