Ali Caka Një takim i ngrohtë dhe një bashkëbisedim për dijen dhe njerë…
11 Nëntor, 2026Ali Caka
Një takim i ngrohtë dhe një bashkëbisedim për dijen dhe njerëzit e saj!
11 nëntor 2026
Sot isha mysafir i Kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliut. Shkova për ta njohur me veprimtarinë e Institutit Alb-Shkenca dhe përgatitjet e Takimit XXI, por gjeta shumë më tepër se një pritje institucionale. Gjeta një bashkëbisedues të vëmendshëm, të qetë e të përzemërt, që na dha kohë dhe hapësirë për të folur lirshëm për shkencën, për njerëzit e saj dhe për mundësitë e bashkëpunimit.
Folëm për rrugëtimin gati çerekshekullor të Institutit Alb-Shkenca, për shkencëtarët, për shkencëtaret dhe për studiuesit shqiptarë që krijojnë dije në qendrat më të njohura të botës dhe që, vit pas viti, bashkohen në takimet tona shkencore. Folëm edhe për Takimin XXI Vjetor Ndërkombëtar, që sivjet e organizojmë bashkërisht me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 4 dhe 5 dhjetor 2026, nën temën “Shkenca: Përgjegjësi dhe e Mirë Publike”.
Më gëzoi veçanërisht interesimi i Kryetarit Qemajl, i cili jo vetëm dëgjoi me vëmendje, po edhe na sugjeroi emra studiuesish të mjekësisë që sot punojnë në klinika e institucione shkencore evropiane dhe amerikane. Një ndihmesë e çmuar për t'i afruar edhe ata me Takimin Tonë.
Me kënaqësi i dhurova Monografinë e Institutit Alb-Shkenca dhe librin tim “Kontribut Fjalorit Themelor të Gjuhës Shqipe”, si një kujtim nga takimi ynë dhe si dëshmi e punës që na bashkon rreth dijes.
E falënderoj nga zemra Dr. Qemajl Aliun për mikpritjen, për bujarinë dhe për thjeshtësinë njerëzore, për kohën që na kushtoi dhe për derën e bashkëpunimit që e la të hapur.
Nga takime të tilla largohesh me më shumë se përshtypje të mira. Largohesh me bindjen se, kur njerëzit e institucioneve e duan dhe e respektojnë dijen, edhe bashkëpunimi gjen rrugën e vet.
Faleminderit, i dashur Qemajl, për pritjen dhe bashkëbisedimin kaq të mirë!
