Të ndihmojmë znj.Komani për një studim mbi efektet ndërbreznore të përvojës së traumës në Shqipërinë komuniste
4 Prill, 2024Të dashur Anëtarë e Dashamirës të Alb-Shkencës,
Znj. Lindita Komani, MSc., një nga anëtaret themeluese të Alb-Shkenca, është aktualisht studente masteri pranë universitetit Divine Mercy në Virxhinia, SHBA (www.divinemercy.edu) dhe po zhvillon një studim mbi efektet ndërbreznore të përvojës së traumës në Shqipërinë komuniste.
Qëllimi i këtij studimi është që të hulumtojë praninë e ankthit në fëmijët/pasardhësit e viktimave të komunizmit në Shqipëri sikurse edhe proceset përmes së cilëve transmetohet trauma. Për më tej, studimi bën një vlerësim të shpresës dhe spiritualitetit.
Rezultatet e studimit do të jenë me vlerë për të kuptuar nëse ekzistojnë sfida psikologjike mes fëmijëve/pasardhësve të viktimave të komunizmit në Shqipëri/nga Shqipëria. Në një perspektivë më afatgjatë, ato do të mund të shfrytëzohen për të adresuar sfidat në rast se konfirmohet ekzistenca e tyre.
Ne e pritëm pozitivisht kërkesën e znj.Komani për ndihmë. Në dijeninë tonë nuk ka pasur një fokus mbi këtë temë në të shkuarën. Ndaj ne dashamirësisht ju lutemi që ta mbështesni këtë sipërmarrje që e shohim me rëndësi për mirëqënien psikologjike të njerëzve të prekur.
Si mund të ndihmoni ju?
- Ju dhe/ose të afërmit, miqtë ose të njohurit tuaj mund të jeni viktima të komunizmit:
Dashamirësisht ju kërkojmë që të merrni pjesë në pyetësor dhe t’i bëni të ditur për këtë pyetësor çdo njeriu në mjedisin tuaj për të cilin/ën e dini që është pjesë e këtij grupi shoqëror. Ju lutemi të shpërndani LINK-un e pyetësorit dhe të gjeni edhe vetë kohën për ta plotësuar pyetësorin. Ai do të kërkojë 8 minuta nga koha juaj, por mund të jetë ndihmë e madhe për të adresuar nevojat e njerëzve të prekur.
- Në rast se ju nuk jeni fëmijë/pasardhës i viktimave të komunizmit:
Ju lutemi të ndani informacionin lidhur me këtë pyetësor dhe linkun ku mund ta plotësoni atë me fëmijë/pasardhës të viktimave të komunizmit. Ne jemi të bindur se ata do ta vlerësonin të dinin që nevojat e tyre psikologjike do të adresohen.
Pyetësorin e gjeni në lidhjen e mëposhtme:
The Intergenerational Effects of Trauma Experience in Communist Albania (google.com)
Pjesëmarrësit duhet të jenë 18 vjeç e sipër dhe është e nevojshme që të jetojnë në Shqipëri ose SHBA.
Ju falenderojmë për kohën dhe ndihmën tuaj!
Përshëndetje të përzemërta,
Instituti Alb-Shkenca