Takimi XVIII – fjala hyrëse e drejtorit të përgjithshëm të Institutit Alb-Skenca
16 Tetor, 2023Prishtinë, 13 tetor 2023
Të dashura kolege dhe kolegë,
E nderuar znj. Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës,
I nderuar Rektor Qerimi e rektorë e akademikë të ftuar,
Ju uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet shkencor vjetor të Institutit dhe ju falënderoj për praninë tuaj.
Në këtë fjalë rreth dhjetë minutëshe, kam rezervuar dy minuta për hyrjen e falënderimet, katër minuta për temën bosht të Takimit, inteligjencën artificiale në edukim dhe kërkim, tre minuta për përmirësimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, dhe një minutë për konkluzionet e përfundimin.
Quhem Gentian Zyberi dhe për nëntë vitet e fundit kam pasur nderin që të drejtoj Institutin Alb-Shkenca. Jam profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në qendrën norvegjeze për të drejtat e njeriut të universitetit të Oslos. Bashkë me rektorin Qerimi dhe kolegë të tjerë kemi bashkëpunuar në rastin e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Jam edhe anëtar i komitetit shkencor të Agjencisë Themelore për të Drejtat e Njeriut të Bashkimit Evropian, e cila monitoron të mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në BE. Si i vetmi anëtar nga një shtet jo-anëtar i BE-së me shtetësi shqiptare interesi im është që të shtyj Agjencinë që të ketë një vëmendje të shtuar ndaj shteteve kandidate, përfshirë vendet tona në Ballkan.
Para se të filloj me temën e takimit, më lejoni që të falënderoj Universitetin e Prishtinës, Rektorin Qerimi dhe ekipin e tij, për bashkëpunimin shumë të mirë në organizimin e këtij aktiviteti. Kolegu Ali Caka falënderoi sponsorët e tjerë, Ministrinë e Arsimit, atë të Punëve të Jashtme e Diasporës, dhe GIZ-in. Pa këtë mbështetje dhe punën vullnetare të Degës së Kosovës me kolegët Ali Caka dhe ekipin e tij, kolegë të tjerë drejtues të seksioneve shkencore të Institutit, dhe sistemin ALPA që mirëmbahet nga Eshref Januzaj, nuk do të kishim mundësinë që të mblidheshim sot këtu. Nuk mundem t’i përmend të gjithë kolegët e IASH-it me emër, por ju falënderoj të gjithëve përzemërsisht.
Inteligjenca artificiale (IA) do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet e jetës sonë, duke përfshirë edhe kërkimin shkencor dhe edukimin. Me rritjen e teknologjive të IAs, po shohim një ndryshim në mënyrat se si kërkojmë informacionin, si mësojmë, dhe si bëjmë kërkim shkencor. Përmes përdorimit të algoritmeve, të mësimit të thellë dhe të përpunimit të gjuhës natyrore, IA po bën të mundur që shkencëtarët të kuptojnë më mirë fenomene të tilla si ndryshimet klimaterike, epigjenetika, krijimi i materies së errët, etj.
Në fushën e kërkimit shkencor, IA ndihmon në avancimin e eksperimenteve dhe analizave të shumëllojshme. Sistemet e IA mund të procesojnë dhe të analizojnë shumë më tepër të dhëna se sa një njeri i vetëm, apo dhe një ekip kërkuesish. Duke pasur qasje të shpejtë dhe efikase në sisteme të tilla të kompjuterizuara, studiuesit kanë aftësinë për të analizuar të dhënat me shpejtësi dhe saktësi të lartë. Kjo i lejon shkencëtarët të zbulojnë modele dhe lidhje që nuk ishin të ditura më parë. Nëpërmjet algoritmeve vetë-mësuese të përdorura nga IA, shkenca mjekësore ka arritur të zbulojë trajtime më efektive për sëmundje të ndryshme. IA është një forcë e madhe në një sërë disiplinash, nga biologjia dhe mjekësia, inxhinieria, ekonomia, drejtësia, shkencat shoqërore dhe politike, matematika, fizika, kimia e të tjera.
Në fushën e edukimit, IA ka sjellë ndryshime të mëdha në mësimin dhe përfitimin e dijes. Teknologjitë e IA, si sistemet e mësimit mbi bazën e rekomandimeve dhe analizës së të dhënave të studentëve, janë përdorur për të ndihmuar në përparimin individual të studentëve. Këto sisteme i ofrojnë studentëve platforma të cilat personalizohen sipas nevojave të tyre të mësimit dhe mund të japin rekomandime për materiale shtesë ose ndryshime në mënyrën se si të studiojnë. Në këtë mënyrë, IA mund ta transformojë mësimin nga një proces përgjithësisht i standardizuar në një përvojë më të personalizuar dhe interaktive.
Por çfarë mundësish dhe sa të gatshëm jemi ne si shoqëri për të përfituar nga kjo teknologji e re? Sa qasje në teknologji dhe njohuri për përdorimin efektiv të saj ka shoqëria jonë? Çfarë rreziqesh dhe efektesh negative mund të sjellë ky përdorim dhe si mund t’i mënjanojmë apo kufizojmë ato? A mund të zëvendësojë Inteligjenca Artificiale atë njerëzore? Dhe nëse po, çfarë do të thotë kjo për edukimin dhe kërkimin shkencor?
Këto janë disa nga pyetjet të cilave ne do të mundohemi t’i japim përgjigje përmes paneleve të sotme. Ndërsa teknologjitë e IA janë të fuqishme, ato gjithashtu mund të jenë të ndikuara nga krijuesit e tyre, mund të diskriminojnë ose përjashtojnë grupe të caktuara dhe shkaktojnë shkelje të drejtave të njeriut. Mungesa e transparencës dhe ushtrimit të kontrollit të arsyeshëm e të nevojshëm ndaj inteligjencës artificiale janë sfida për edukuesit dhe shkencëtarët për t’u marrë me se si ta aplikojnë atë në mënyra që janë të dobishme për të gjithë.
Për ta përfunduar, roli i inteligjencës artificiale në kërkimin shkencor dhe edukim është i ndërlikuar, por mund të shihet si një mjet për të zgjidhur probleme të ndryshme dhe si një mjet për të përmirësuar përvojën mësimore. Në të njëjtën kohë, është vendi për një thirrje për reflektime etike dhe të vazhdueshme mbi përdorimin e IA-së, për të siguruar që ajo të përdoret në mënyrë të drejtë dhe të shërbejë të gjithë komunitetin dhe interesin publik. Megjithëse IA po ndihmon nevojat tonë shkencore dhe edukative më mirë se kurrë më parë, ne gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe rreziqet që mund të dalin nga përdorimi i kësaj teknologjie.
Më lejoni të filloj me një konstatim për keqardhje se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në vendet tona po kalojnë momente të vështira. Rritja e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor duhet bazuar në tre shtylla: (1) rritje të financimit nga fondet publike dhe private, (2) rritje të ndërveprimit shkencor mes universiteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe rrjetëzimit e pjesëmarrjes në projekte kërkimore të financuar nga Bashkimi Evropian (“Horizon Europe” dhe skema të tjera) (3) mundësimit të angazhimit të diasporës shkencore shqiptare në universitetet tona për periudha të ndryshme.
Sugjerimet e mia dhe të Institutit, që neve ua kemi dërguar autoriteteve shtetërore shpeshherë, prekin gjashtë tema të përgjithshme, gjegjësisht: (1) rritjen e numrit dhe impaktit shkencor të stafit akademik; (2) nxitjen dhe mbështetjen e stafit akademik për kërkim shkencor; (3) përmirësimin e infrastrukturës për kërkimin shkencor; (4) rritjen e fondeve të kërkimit dhe përfaqësimit të universiteteve tona në projektet evropiane; (5) ndërkombëtarizimin e institucioneve tona; dhe (6) mbështetjen e angazhimit nga diaspora akademike shqiptare dhe qarkullimin e trurit.
1. Duhet rritur numri i stafit të kualifikuar akademik, duke dhënë më shumë mundësi për doktoratura, aty ku ka mundësi e nevojë, dhe mbështetje financiare për kandidatët e doktoraturës për periudha fikse (3-4 vjeçare), siç bëhet në shumë vende të Evropës. Të konsiderohet vendosja e një MINIMUMI publikimesh çdo tre-pesë vjet për të mbajtur titullin akademik.
2. Stafi akademik duhet të nxitet të botojë përtej ngritjes në titujt akademikë. Për këtë ndihmojnë pushimet sabatike, të dhënë bazuar në plane specifike për punën shkencore që do të bëhet. Të shpërblehen me një çmim deri në një rrogë mujore (500-1000 euro) botimet substanciale që bëhen në revista apo kanale publikimesh ndërkombëtare PRESTIGJIOZE. Plagjiaturat dhe botimet në revista të rreme (publishing mills) duhen SANKSIONUAR.
3. Qeveria bashkë me universitetet kanë detyrimin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme për kërkim, e cila përfshin kryesisht mbështetjen për laboratorë shkencorë, biblioteka digjitale dhe fizike, kanalet e publikimeve (periodikë dhe revista) dhe regjistrimin e rezultateve akademike. Universitetet duhet të investojnë RREGULLISHT në përmirësimin e fondeve të librave dhe periodikëve shkencorë përmes një buxheti vjetor që duhet rritur çdo vit dhe dhurimeve të ndryshme nga institucione të tjera apo individë. Infrastruktura e botimeve duhet përmirësuar ndjeshëm, me krijimin dhe mbështetjen e periodikëve apo revistave shkencore shqip ose dygjuhëshe, bazuar në botimet e hapura online për të gjithë të interesuarit. Veprimtaritë akademike, sidomos publikimet shkencore, duhen regjistruar rregullisht në një regjistër të posaçëm elektronik që mirëmbahet nga ministritë e linjës ose një agjenci specifike.
4. Modelimi i marrjes së fondeve për projekte shkencore nga strukturat përkatëse shtetërore duhet bërë në një formë të ngjashme me aplikimet për fondet nga BE-ja (aplikimet për fondet tek Këshilli Kërkimor Europian/KKE). Kombinimi i ekipeve të studiuesve shkencorë nga universitetet tona me ato nga diaspora ka potencialin ta rrisë përqindjen e suksesit të aplikimeve në “Horizon Europe”.
5. Ndërkombëtarizimi. Që bashkëpunimi dypalësh të funksionojë, duhet që universitetet tona të ofrojnë çdo semestër një numër minimal kursesh akademike në gjuhën angleze dhe që një pjesë e kurseve të tilla të jenë të detyrueshme për studentët shqiptarë si pjesë e programit akademik. Mos të presim të na ftojnë institucione të huaja në programe të ndryshme si qoka, por të vendosen objektiva në strategjitë e universiteteve dhe njësive të shkallës së dytë (fakulteteve) dhe të shkallës së tretë (departamenteve) dhe të mbështeten përpjekjet në këtë drejtim me burime financiare dhe njerëzore.
6. Diaspora akademike shqiptare dhe qarkullimi i trurit. Sugjerojmë krijimin e një programi të rregullt Erasmusi+ të diasporës shkencore shqiptare dhe mbështetjen e programit “READ Albania”. Kjo do të mundësojë qarkullimin dhe kthimin e trurit, si një mbështetje e qeverisë dhe universiteteve, me vizita të kohëzgjatjeve të ndryshme, nga një muaj deri në një vit, me programe fleksibël.
Të nderuara kolege, të nderuar kolegë,
IA sjell sfida të reja, ndërkohë që ne akoma nuk kemi digjitalizuar fondin e bibliotekave dhe mundësinë e kërkimit të burimeve online. Ndërkohë që infrastruktura e kërkimit shkencor, e mësimdhënies, dhe administrimit është akoma e pazhvilluar. Instituti ynë që funksionon në mënyrë vullnetare ka rreth 20 vjet që mundohet të kontribuojë për këto zhvillime përmes këtyre Takimeve dhe këshillave për institucionet tona shtetërore.
Shpresoj që kjo punë dhe këto këshilla do të përkthehen në rezultate në mënyrë që institucionet tona të arsimit të lartë dhe kërkimi ynë shkencor të jenë në të njëjtin rang me atë botëror e që të rinjtë dhe të rejat tona të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre pranë familjeve të tyre e bashkë me të edhe një të ardhme më të mirë për të gjithë shoqërinë tonë.
Ju faleminderit!
Gentian Zyberi
Drejtor i përgjithshëm i Institutit Alb-Skenca