Fjalimi përshëndetës i drejtorit të përgjithshëm të Institutit Alb-Shkenca, Dr. Gentian Zyberi gjatë takimit XIX në Shkup

Fjalimi përshëndetës i drejtorit të përgjithshëm të Institutit Alb-Shkenca, Dr. Gentian Zyberi gjatë takimit XIX në Shkup

1 Nëntor, 2024 Mbyllur Publikuar nga administruesi

Të nderuar autoritete shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, të nderuar drejtues të institucioneve të arsimit të lartë,

të dashur kolegë dhe miq,

Quhem Gentian Zyberi dhe jam profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në universitetin e Oslos.

 

Është një kënaqësi e veçantë të jemi së bashku sot për të diskutuar mbi rrugët e integrimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në hapësirën edukuese dhe kërkimore evropiane. Në një kohë kur përditshmëria jonë po transformohet me shpejtësi, është thelbësore që të forcojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe kërkimit, mes vendeve tona, dhe vendeve të tjera në Evropë.

 

Kam nderin t’u drejtohem në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Institutit Alb-Shkenca, institut i cili ka për mision të promovojë, zhvillojë dhe avancojë kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë në komunitetin shqiptar dhe më gjerë. Instituti ynë synon të lehtësojë dhe të përmirësojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë në fusha të ndryshme shkencore. Për të realizuar këtë qëllim, instituti organizon Takime Vjetore, konferenca shkencore, leksione të hapura, dhe publikime që ndihmojnë në përhapjen e njohurive dhe rezultateve shkencore që kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë dhe ekonomisë. Ne i kemi organizuar aktivitetet tona me rrotacion mes Shqipërisë, Kosovës, dhe Maqedonisë së Veriut, dhe kemi pasur kënaqësinë të mblidhemi në Tetovë në vitin 2009, e më pas në Shkup, në vitet 2012, 2015, 2018, 2021 dhe tani, në nëntor 2024 në Takimin e 19-të, me mbështetjen dashamirëse të autoriteteve shtetërore dhe atyre akademike.

 

Evropa, me diversitetin e saj kulturor, historik dhe akademik, përfaqëson një burim të pashtershëm dijeje dhe inovacioni. Integrimi i sistemeve tona arsimore dhe kërkimore nuk është thjesht një çështje harmonizimi burokratik; është një mundësi unike për të ndërtuar një të ardhme ku kërkuesi shkencor shqiptar mund të bashkëpunojë drejtpërdrejt me kolegun e tij gjerman, italian, francez, spanjoll, apo nga çdo shtet tjetër, për të krijuar zgjidhje inovative që do të formësojnë botën e nesërme.

 

Në këtë kontekst, programet si Erasmus+, COST, Horizon Europe dhe iniciativa të tjera të Bashkimit Evropian luajnë një rol kyç në nxitjen e këtij integrimi. Ato ofrojnë mundësi për shkëmbim të studentëve dhe të stafit akademik, për projekte kërkimore të përbashkëta, dhe për zhvillimin e projekteve të cilat rrisin konkurrencën dhe ekselencën akademike në të gjithë Evropën.

 

Ne besojmë se rruga drejt një hapësire edukuese dhe kërkimore të përbashkët nuk është vetëm një aspiratë, por një domosdoshmëri. Vetëm duke hapur dyert e institucioneve tona të arsimit të lartë për studentë e staf akademik të huaj dhe për diasporën shkencore shqiptare, duke ndarë burimet dhe eksperiencat tona të mira, mund të ndërtojmë një bazë solide mbi të cilën të rinjtë dhe të rejat tona mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në vendin e vet. Duhet që institucionet kërkimore dhe të arsimit të lartë të vendeve tona të integrohen më mirë me njëri-tjetrin dhe pastaj të bëhen pjesë e qenësishme e hapësirës edukuese dhe kërkimore evropiane.

 

Sot, më shumë se kurrë më parë, duhet të veprojmë, të ndërmarrim nisma konkrete dhe të përkrahim njëri-tjetrin në këtë rrugë të gjatë, por të domosdoshme. Le të punojmë së bashku për të transformuar sfidat e së sotmes, që janë shumë, në mundësitë e së nesërmes, për të lëvizur sa më shpejt drejt një të ardhme më të ndritur për arsimin dhe kërkimin shkencor në vendet tona dhe në Evropë. Koha nuk pret!

 

Ju faleminderit për vëmendjen.

Shpërndani artikullin: