Letër e hapur qeverisë shqiptare në lidhje me kërkimin shkencor
1 Nëntor, 2022Prof. Dr. Gentian Zyberi
Cila është cilësia e universiteteve tona dhe e kërkimit shkencor? Përgjigja është dëshpëruese. Nuk kemi asnjë universitet shqiptar në një mijë universitetet më të mira në botë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri është në vendin e fundit në rajon. Në Takimin e XVII-të të Institutit Alb-Shkenca, me temë “Bashkëveprimi Shkencor në Trojet Shqipfolëse”, organizuar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Tiranës, diskutuam edhe çështjen e kërkimit shkencor. Për 15 vite me radhë në Takimet tona vjetore ne kemi diskutuar me autoritetet shtetërore kudo ku jemi mbledhur, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, për mënyrat se si mund të përmirësohet situata e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në trojet tona. Instituti ka qenë konstruktiv me të gjitha qeveritë dhe institucionet akademike dhe ka dhënë edhe rekomandimet e veta për përmirësimin e situatës. Misioni i Institutit është nxitja e kërkimit shkencor dhe në këtë kuadër politikat përkatëse shtetërore kanë shumë rëndësi.
Bashkimi Evropian ka mjaft të dhëna për situatën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Ballkan. Të dhënat në lidhje me situatën e kërkimit shkencor janë grupuar sipas këtyre katër temave të përgjithshme: (1) numri dhe impakti shkencor i stafit akademik; (2) nxitja dhe koha e stafit akademik për kërkim shkencor; (3) mbështetja nga universiteti dhe infrastruktura kërkimore; (4) fondet e kërkimit dhe përfaqësimi i universiteteve tona në projektet evropiane. Në fund të këtij shkrimi janë dhënë një numër masash konkrete të cilat mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës.
Numri dhe impakti i stafit akademik
Shqipëria ka numrin më të vogël të kërkuesve shkencorë në rajon për 1 milion banorë me 262 persona.[1] Numrat për Maqedoninë e Veriut janë 1012 (rreth 4 herë më shumë), Malin i Zi 1071 (rreth 4 herë më shumë), dhe Serbinë 3069 (rreth 12 herë më shumë). Po të shohim numrat që jep Bashkimi Evropian, duket qartë se Shqipëria është e fundit në rajon. Le t’i kthehemi impaktit matur përmes botimeve dhe citimeve për periudhën 2013-2015. Edhe këtu Shqipëria është prapa krahasuar me vendet e tjera. Numri i produkteve akademike, përfshirë artikuj, vlerësime, punime konferencash, editorialë dhe sondazhe është 1509, ndërkohë që për të njëjtën kohë është 2655 për Maqedoninë e Veriut, 1088 për Malin e Zi, dhe 22,390 për Serbinë (rreth 15 herë më shumë).[2]
Nxitja dhe koha e stafit akademik për kërkim shkencor
Puna e stafit akademik përbëhet nga tre komponentë, mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe puna administrative. Prej këtyre aktiviteteve, zakonisht mësimdhënia dhe puna administrative marrin më shumë kohë. Në Shqipëri kemi dy kategori të stafit akademik-shkencor sipas ligjit: (1) Staf akademik, i cili mbulon veprimtarinë e tij me 70% mësim dhe 30 % shkencë në ngarkesën intelektuale vjetore; (2) Staf kërkimor shkencor, i cili duhet të bëjë 70% kërkim shkencor dhe 30% mësim në ngarkesën intelektuale vjetore. Për disa fakultete, ngarkesa e mësimdhënies është mjaft e lartë, duke mos i lejuar stafit akademik kohën e duhur që të bëjnë kërkim. Gjithsesi, përtej avancimit me gradat akademike, stafi akademik shqiptar nuk ka ndonjë nxitje financiare apo tjetër për të bërë kërkim shkencor dhe përgatitur botime përtej minimumit të kërkuar.
Mbështetja nga universiteti dhe infrastruktura e publikimeve shkencore
Cila është mbështetja nga universitetet për stafin akademik dhe infrastruktura e publikimeve shkencore në Shqipëri? Universitetet duhet të shpenzojnë shumicën e fondeve të tyre për punën akademike, përfshirë kërkimin shkencor, dhe jo për zëra të tjerë. Duhet investuar për bibliotekat dhe mbështetjen e botimeve shkencore në formën e revistave dhe periodikëve shkencorë. Universitete duhet të japin vit sabatik (apo kohë vetëm për kërkim) për kërkuesit shkencorë dhe të stimulojnë botimet në kanale botimesh prestigjioze. Infrastruktura e botimeve shkencore duhet mbështetur përmes revistave online në shqip apo disa-gjuhëshe (shqip-anglisht-frëngjisht) të cilat botojnë me akses të hapur.
Fondet për kërkimin dhe përfaqësimi i universiteteve tona në rang evropian
Të gjitha vendet e rajonit janë shumë prapa objektivit të BE-së për t’i kushtuar 3% të PBB-së së tyre për aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit dhe ato gjithashtu nuk i kanë arritur ende objektivat e tyre kombëtare.[3] Po të shohim përfitimet e Shqipërisë nga programi “Horizon 2020”, që i ka lënë vendin programit “Horizon Europe”, shohim se Shqipëria ka përfituar më pak se vendet e rajonit. Kështu, nëse nga pjesëmarrja në projekte nën programin “Horizon 2020” Serbia ka përfituar rreth 60 milion euro, Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë as 5 milionë euro; ndërkohë që Serbia ka marrë pjesë në rreth 350 projekte, Shqipëria ka marrë pjesë në më pak se 40 projekte. Të dhënat e ofruara nga Komisioni Evropian tregojnë se në total Shqipëria nuk ka udhëhequr asnjë projekt të “Horizon 2020” që është një projekt mirëfilli kërkimi shkencor. Këto rezultate të “Horizon 2020” nuk premtojnë ndonjë sukses të spikatur të universiteteve tona për “Horizon Europe”.
Çfarë duhet të bëhet për ta përmirësuar situatën?
Fondet për kërkimin shkencor në buxhetin tonë janë më pak se 1 milion euro. Grantet e dhëna nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit janë rreth 10-20 mijë euro për projekt. Shpenzimet e brendshme bruto për kërkimin dhe zhvillimin kanë rënë nga rreth 0,4% në 2008, në rreth 0,2% në vitet e fundit, dhe janë shumë larg objektivit të BE-së prej 3% të PBB-së. Qeveria shqiptare duhet të rrisë numrin dhe pagat e stafit akademik dhe financimin e kërkimit shkencor, përmes projekteve dhe infrastrukturës.
Në vitin 2020, sipas vlerësimeve të tërthorta, numri i diasporës së re shqiptare llogaritej të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37% të shtetasve shqiptarë gjithsej.[4] Në këtë numër përfshihen edhe staf akademik që punon në universitete të ndryshme apo institucione kërkimore-shkencore në Evropë dhe në botë. Rritja e cilësisë së arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor duhet bazuar në tre shtylla, (1) rritje të financimit nga fondet publike dhe private, (2) rritje të ndërveprimit shkencor mes universiteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe rrjetëzimit e pjesëmarrjes në projekte kërkimore financuar nga Bashkimi Evropian (Horizon Europe dhe skema të tjera) (3) gjetjes së formave të angazhimit të diasporës shkencore shqiptare. Studime të ndryshme kanë treguar se dëshira e diasporës sonë shkencore për të bashkëpunuar me kolegët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut nuk mungon.[5] Një hap mjaft pozitiv në këtë drejtim është programi READ Albania nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që do të mbështesë bashkëpunimin mes stafit akademik shqiptar me rreth 100 akademikë nga diaspora për 7 vitet e ardhshme një fond rreth 2.75 milion dollarë.[6]
Sugjerime konkrete për zhvillimin e kërkimit shkencor
Së pari, rritja e fondeve publike për kërkim shkencor, së bashku me modelimin e marrjes së fondeve për projekte shkencore në një formë të ngjashme me aplikimet për fondet nga BE-ja. Kjo do të sigurojë rritjen e mundësive për kërkim në vend dhe familjarizimin me kërkesat e larta dhe procedurat për këto fonde. Me shumë gjasë, kombinimi i ekipeve të studiuesve shkencorë nga universitetet tona me ato nga diaspora do ta rriste përqindjen e suksesit të aplikimeve në “Horizon Europe”. Programet COST janë me shumë rëndësi për të integruar kërkuesit tanë në rrjetet e kërkuesve shkencore evropianë.
Së dyti, është detyrimi i qeverisë dhe universiteteve përkatëse që të mundësojë krijimin e infrastrukturës së nevojshme për kërkim me mbështetjen për laboratorë shkencorë dhe bibliotekat digjitale dhe fizike. Një investim i mençur do të ishte financimi i revistave online, mundësisht dygjuhëshe (shqip-anglisht), që tejkalojnë procedura administrative të botimit, dhe krijojnë mundësinë e aksesit të hapur për të interesuarit.
Së treti, krijimin e një Erasmusi+ të diasporës shkencore shqiptare, një mundësi për kthimin e trurit, si një mbështetje e qeverisë dhe universiteteve, me vizita të kohëzgjatjeve të ndryshme, nga një muaj në një vit, me programe fleksible, sipas modelit të programit READ Albania.
Së katërti, krijimin e programeve të përbashkëta të nivelit të dytë, Mastera shkencorë, por edhe të nivelit të tretë, për doktoratura. Dhe krijimin e një dite vjetore takimi në formën e një konference për kandidatët për doktoraturë, sipas fushave përkatëse, për universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo mund të jetë në shqip dhe anglisht dhe mund të japë mundësinë edhe për kërkues shkencorë nga rajoni që të marrin pjesë.
Së pesti, rritjen urgjente të rrogave për kërkuesit shkencorë, stafin akademik në Shqipëri, që ka rrogat më të ulëta në rajon. Nxitja për kërkimin shkencor dhe publikimet duhet të kalohet përtej kërkesave minimale të publikimeve të nevojshme për të marrë gradat shkencore. Ajo mund të bëhet përmes disa formash. Një prej tyre mund të jetë kërkesa për të ruajtur një nivel minimal publikimesh edhe pas marrjes së gradës shkencore, për ta mbajtur këtë të fundit. Forma të tjera janë njohjet e arritjeve shkencore përmes çmimeve të ndryshme për publikime në kanale botimesh prestigjioze apo rol drejtues në një fushë të caktuar, si psh fizikanti më i mirë i vitit, juristi më i mirë, biologu më i mirë, etj. Ka mjaft kolegë që meritojnë nderime të tilla nga universitetet dhe autoritetet shtetërore dhe që do të shërbenin si modele për t’u ndjekur nga kërkuesit e rinj shkencorë.
Së fundi, apeli im për qeverinë shqiptare dhe autoritetet drejtuese universitare është shpëtojeni kërkimin shkencor sa nuk është shumë vonë, në mënyrë që të shpëtoni edhe të ardhmen e rinisë dhe vendit tonë. Mundësitë janë dhe vullneti politik nuk duhet të mungojë.
Profesor Dr. Gentian Zyberi
Drejtor i përgjithshëm, Instituti Alb-Shkenca.
Profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, Qendra norvegjeze për të drejtat e njeriut, Universiteti i Oslos
Anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
[1] Roadmap for EU – Enlargement Countries S&T cooperation (EU, 2018), Tabela 1, fq. 3. Në https://research-and-innovation.ec.europa.eu/system/files/2021-01/ec_rtd_enlarge-roadmap-2018.pdf.
[2] Roadmap for EU – Enlargement Countries S&T cooperation (EU, 2018), Tabela 2, fq. 5.
[3] Roadmap for EU – Enlargement Countries S&T cooperation (EU, 2018), fq. 2.
[4] Diaspora e Shqipërisë në Shifra (INSTAT, 2020).
[5] Shih Ilir Gëdeshi dhe Russell King, The Albanian scientific diaspora: can the brain drain be reversed? Migration and Development (10:1), fq. 19-41, DOI: 10.1080/21632324.2019.1677072.
[6] Për më shumë informacion shih http://www.aadf.org/project/read-program.