Shpresa Hoxha, Intelektualja shembull

Shpresa Hoxha, Intelektualja shembull

5 Tetor, 2018 Mbyllur Publikuar nga administruesi

Shpresa Hoxha është intelektualja shembull për shoqërinë tonë. Eshtë personalitet poliedrik, që nga profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, zëvendës dekane, senatore, shkencëtare, kryetare e Institutit Alb-shkenca, etj. Është përpiluese e fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve turke në gjuhën shqipe dhe autore e monografisë “Kontributi i William Martin Leake-ut, në fushën e studimeve albanologjike”. Shpresa Hoxha, edhe pas daljes në pension, vazhdon punën si ligjëruese e lëndës së gjuhës angleze në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në intervistën e realizuar më të, Hoxha thotë se, ” Sa i përket pozitës së femrës në mesin e kolektivit tonë, e them me plot gojën se është në nivel të duhur dhe përpjesëtimi është pothuajse i përafërt në raport meshkuj/femra”.

– Keni qenë dhe jeni në sferën më të lartë të arsimit, profesoreshë universiteti dhe zëvendës dekane. Si e keni ndjerë veten në këtë post kaq të lartë?

Në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, punoj që nga Nëntori i vitit 1974, jam pranuar menjëherë pas diplomimit. Gjatë dyzet e katër viteve punë në këtë institucion të lartë universitar, dy herë kam qenë e zgjedhur prodekane dhe në dy mandate kam qenë senatore në Universitetin e Prishtinës. Mandati im i prodekanes për shkencë, ka pushuar me pensionimin tim, në mars të këtij viti. Jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe në këtë institucion, me një ekip punues të shkëlqyeshëm. Jam ndjerë shumë mirë dhe për mua ka qenë si familje e dytë. Kemi qenë dhe jemi të organizuar mirë si dhe raportet ndër ne kanë qenë në nivel të lakmueshëm.

– Kosova ka kontradikta të shumta shoqërore sidomos në fushën e pozitës së femrës ( pak a shumë inferiore), në raport me burrat. Si e gjen veten Shpresa Hoxha si intelektuale në këtë mjedis dhe cili është roli juaj?

Sa i përket pozitës së femrës në mesin e kolektivit tonë, e them me plot gojën se është në nivel të duhur dhe përpjesëtimi është pothuajse i përafërt në raport meshkuj/femra. Edhe në mandatin e kaluar kanë qenë dy prodekane femra dhe unë senatore (femër). Do të doja që kjo të ndodhte në gjithë shoqërinë kosovare dhe femra të trajtohej në pozitën që i takon. Fundja edhe ne jemi nëna, bashkëshorte, motra dhe bija të këtij vendi dhe meritojmë mbështetje dhe respekt nga gjinia e kundërt.

– Jeni dhe kryetare e Institutit Alb-shkenca dhe me 1 shtator do të fillojë takimi i degëve të Alb-shkencës.Çka do të diskutohet në këtë takim?

Është mandati im i dytë në krye të Institutit “ALB-SHKENCA”, i themeluar para rreth 14 vitesh me iniciativën e intelektualëve, më eminent të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe të Diasporës shqiptare në botë, si Prof. Dr. Jahja Kokaj, Prof. Dr. Niko Qafoku, Prof. Dr. Nebi Caka dhe shumë të tjerë. Instituti Alb – Shkenca, numëron 10 Konferenca të ndara të fushave të ndryshme të shkencës me pjesëmarrje të studiuesve shqiptarë dhe jo shqiptarë në tërë globin. Kemi pasur rreth 1000 pjesëmarrës në këto konferenca të ndara shkencore, mirëpo numri i pjesëmarrësve në Kosovë është zvogëluar dukshëm për arsye se UP nuk i vlerëson/pranon punimet e IASH, përkundër faktit që revista jonë vjetore “AKTET” e ka ISSN dhe jemi duke bërë përpjekje që të marrim edhe impakt faktorin ndërkombëtar. Në kuadër të Institutit Alb Shkenca botohen edhe revistat: “ANAS”, “ANASH” (Approaching Science) dhe revista e parë dygjuhësore për studime ligjore “Albanian Journal of Legal Studies”. Takimet tona janë vjetore dhe mbahen në mënyrë rotative në tri qendra: Tiranë – Prishtinë – Shkup, me pjesëmarrje të studiuesve eminentë.

– Jeni autore e mjaftë shkrimeve studimore dhe shkencore, e po ashtu dhe disa librave. Cilat kanë qenë motivet që iu kanë shtyrë të merreni me studime shkencore?

Kam qenë pjesëmarrëse e shumë konferencave dhe seminareve në vend dhe jashtë vendit dhe kam botuar deri më tani rreth 66 punime shkencore, një monografi “Kontributi i Ëilliam Martin Leake-ut, në fushën e studimeve albanologjike” dhe një fjalor të fjalëve dhe shprehjeve turke, të cilat përdoren në Kosovë. Inspirimi për ta hartuar këtë fjalor ka qenë seriali me karakter historik “Sulltan Sylejmani i Madhërishëm”. Gjatë përcjelljes së tij kam ndeshur shumë fjalë turke, të cilat përdoren në gjuhën e folur shqipe por edhe në atë të shkruar, madje fjalë, të cilat janë edhe në fjalorin e standardit të shqipes. Të gjitha këto fjalë të mbledhura i kam identifikuar përmes fjalorëve të ndryshëm të fjalëve të huaja nga autorë të ndryshëm.

– Natyrisht puna juaj si profesoreshë universitare dhe zëvendës dekane iu ka marrë shumë kohë. Cila është Shpresa shtëpiake?

Natyrisht që përveç obligimeve në punë jam e angazhuar edhe në punët e shtëpisë, por përpiqem të jem mjaft e organizuar dhe kohën e lirë e kaloj me kujdesin rreth luleve, leximit të librave, vizitave të shkurtra, etj.

– Yt bir ka qenë midis jetës dhe vdekjes në burgjet serbe. Si keni qenë ju si nënë gjatë asaj kohe?

Në kohën kur pushteti millosheviçian na dëboi nga puna, rreth fillimit të viteve të nëntëdhjeta, siç është e ditur ne u organizuam në mbajtjen e mësimit nëpër shtëpi private, pronarët e të cilave me vullnetin e tyre na i hapën dyert dhe angazhimi nuk mungoi. Dhuna e vazhdueshme e pushtetmbajtësve bëri që rinia të organizohet në ilegalitet dhe kështu iu bashkua radhëve të UÇK-së, për ta kundërshtuar dhe luftuar armikun. Në këto radhë u kyç edhe djali im i madh në cilësi të mjekut, mirëpo u zbulua nga ta dhe u arrestua. Më pas, u dënua me 2 vite e 8 muaj burg. Me shpërthimin e bombardimeve të NATP-s, e dërgojnë në Pozharevc – Serbi, dhe nga 24 marsi i vitit 1999, e deri në fund të qershorit të po të njëjtit vit, nuk kemi ditur gjë për të. Pas daljes së listës së Kryqit të Kuq ndërkombëtar për të burgosurit shqiptarë, mësuam se djali ynë është në burgun e Pozharevcit, prej të cilit u lirua me 8 mars 2001, duke i shpëtuar edhe djegieve, të cilat ju bëheshin burgjeve serbe me shqiptarë në to.

Burimi: /Zeriishqiptarit/

Shpërndani artikullin: