Fjala përshëndetëse në Takimin e 16-të, organizuar online nga Dega e Maqedonisë së Veriut
18 Tetor, 2021Profesor dr. Gentian Zyberi,
Kryetar i përgjithshëm i Institutit Alb-Shkenca
Fjala përshëndetëse në Takimin e 16-të, organizuar online nga Dega e Maqedonisë së Veriut
Epoka e Digjitalizimit dhe Efektet e Saj për Një Zhvillim të Qëndrueshëm
Të nderuar autoritete shtetërore,
Të nderuar rektorë,
Të nderuar kolegë që na jeni bashkuar në këtë aktivitet, Takimin e 16-të të Institutit Alb-Shkenca
Dy vitet e fundit neve e kemi organizuar Takimin tonë vjetor online për arsye të pandemisë, vjet nga Prishtina dhe sivjet nga Shkupi. Më lejoni që në fillim të kësaj fjale të shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e sinqerta në emër të Institutit për humbjet e jetëve si pasojë e kësaj pandemie, përfshirë edhe së fundmi në Tetovë. Shumë prej kolegëve tanë kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje. Puna dhe kontributi i tyre do të kujtohen nga kolegët dhe studentët.
Sa i përket pandemisë, shpresoj se së bashku do ta tejkalojmë këtë situatë të vështirë në muajt që vijnë.
Unë quhem Gentian Zyberi dhe jam profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Oslos Norvegji. Kam pasur kënaqësinë që ta drejtoj institutin për shtatë vite e gjysëm të fundit. Puna që ne bëjmë është kolegjiale; aty kontribuojnë të gjithë kolegët dhe strukturat tona, me kryetarët dhe administratën e degëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me kryetarët e seksioneve shkencore, me administratën qendrore dhe me sekretarin e përgjithshëm dhe zëvendës kryetarin e përgjithshëm. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë për punën e bërë për këtë Takim të 16-të vjetor dhe për aktivitet e tjera përgjatë viteve.
Një falënderim të veçantë e kam për anëtarët tonë të nderit, me kryetarin e nderit, Profesor Niko Qafokun, profesorët e nderuar Sami Repishti, Emil Lafe, Jahja Kokaj, dhe Nebi Caka. Një anëtare e re që i bashkohet anëtarëve të nderit të Institutit tonë është Profesore Shpresa Hoxha e Universitetit të Prishtinës. Profesore Hoxha ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e gjuhësisë dhe ka qenë drejtuese e degës së Kosovës për shumë vjet. Kemi kënaqësinë ta kemi atë si anëtare nderi e institutit tonë.
Të nderuar kolegë,
Në këtë fjalë përshëndetëse dua të them disa fjalë rreth institutit dhe rreth digjitalizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Për institutin
Gjatë këtyre viteve Instituti dhe aktivitet e tij të përvitshme kanë shërbyer si një platformë për takimin e kërkuesve shqiptarë nga trojet tona dhe nga diaspora dhe për ndarjen e rezultateve të fundit në fusha të ndryshme të shkencës, sipas seksioneve shkencore të Institutit. Më shumë informacion mbi këtë aktivitet shumëvjeçar gjendet në librin e institutit që u botua vitin e kaluar me punën koordinuese të Profesor Mustafa Ibrahimit dhe kontributet e të gjithë kolegëve të Administratës Qendrore të cilët i falënderoj përzemërsisht. Edhe gjatë këtij Takimi do të prezantohen shumë punime në seksionet e ndryshme shkencore gjatë ditës së nesërme.
Pse kemi zgjedhur të flasim për epokën e digjitalizimit dhe efektet e saj për zhvillimin e qëndrueshëm?
Epoka e digjitalizimit krijon mundësi të reja për zhvillimin e shoqërisë sonë. Ndërkohë, 17 qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjenda 2030 janë pjesë e agjendës globale për të përmirësuar jetën e të gjithë banorëve të planetit duke mbrojtur natyrën dhe oqeanet. Digjitalizimi mundet të ndihmojë në realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Por duhet të them që nga fillimi se teknologjia na ndihmon të zgjidhim disa probleme, por ajo krijon probleme të reja. Duhet të kemi kujdes për të ruajtur privatësinë, siguruar akses për të gjithë, dhe për të mos lënë njeri prapa. Duhet të mbajmë parasysh se jo të gjithë kanë akses në teknologji dhe jo të gjithë dinë ta përdorin atë si duhet.
Gjithsesi, për mua me rëndësi është si mundet ta përdorim digjitalizimin në punën tonë lidhur me kërkimin shkencor. Kjo është një temë që do të diskutohet gjerësisht në panele tematike më vonë sot. Gjithsesi, është e qartë se digjitalizimi mundet të përdoret për të integruar në jetën shkencore të instituteve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor kolegë që punojnë në universitete perëndimore, diasporën tonë intelektuale. Barrierat fizike kanë rënë, nevojitet të gjenden mënyrat për ta realizuar këtë dhe këtu duhet vullnet institucional nga qeveritë tona.
Disa rekomandime për qeveritë tona, që i kemi formuluar në vitin e fundit janë si më poshtë:
Së pari, investim në infrastrukturë (pajisje dhe programe) në nivel universiteti dhe fakulteti; së dyti, mundësisht përdorimi i një platforme të unifikuar elektronike për zhvillimin e mësimit dhe ndarjen e materialeve përkatëse, në vend të disave, për ta lehtësuar punën e komunikimin e studentëve dhe pedagogëve, së treti, trajnimi i stafit mësimor dhe studentëve për përdorimin e këtyre mjeteve dhe metodave dhe përgatitja e vendosja online e udhëzuesve të shkurtër praktikë për këtë qëllim.
Nga ana buxhetore:
Rritja e buxhetit publik për kërkimin shkencor të paktën deri në 1% të PBB-së deri në vitin 2025. Niveli i tanishëm është i papërfillshëm.
Krijimi i një fondi specifik për kthimin e diasporës shkencore, për periudha afatshkurtra apo afatgjata, i cili të jetë i hapur për aplikim nga personat e interesuar, në bazë të planeve konkrete për kërkimin shkencor apo shkëmbimin e eksperiencës për kurse të veçanta me interes të veçantë për degët e ndryshme studimore, sidomos metodologjisë shkencore dhe aftësive specifike teknike në fusha të ndryshme. Kjo do të lehtësojë bashkëpunimin dhe eventualisht transferimin e dijes.
Krijimi i një Fondi të përbashkët për kërkimin shkencor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për të mundësuar realizimin e projekteve të përbashkëta me grupe shkencore nga të dy vendet, bazuar në drejtimet me prioritet të dy vendeve.
Nga ana institucionale dhe procedurale:
Një zëvendës ministër i arsimit duhet të ketë specifikisht në portofolin e vet arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ky duhet të jetë një person që ka eksperiencë të spikatur si kërkues shkencor, mundësisht me eksperiencë brenda dhe jashtë shtetit. Në këtë mënyrë kjo çështje do të marrë vëmendjen e duhur institucionale.
Krijimi i strukturave dhe procedurave të shpërndarjes së fondeve për kërkimin shkencor në nivel kombëtar e cila korrespondon me aplikimet dhe proceset në kuadër të Këshillit Kërkimor Europian (European Research Council) dhe ato të vendeve të Bashkimit Europian.
Krijimi i një laboratori modern shkencor deri në vitin 2025, i përbërë nga sisteme të analizës komplekse, sisteme që janë tepër të shtrenjtë në treg, dhe blerja e tyre nuk përballohet nga institucionet shkencore të veçanta. Ky laborator, që do të ngrihet mbi bazën e përvojës së vendeve në zhvillim, do të mbështesë punimet shkencore dhe veçanërisht të punonjësve të rinj gjatë përgatitjes së doktoratës me një park teknikash spektroskopike dhe analitike. Realizimi i këtij projekti mund të kryhet për një periudhe 5 vjeçare si një bashkëpunim ndërmjet Qeverive të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Ndërlidhja e nevojshme në mes procesit mësimdhënës në universitete, kërkimit shkencor në institucione universitare dhe jo-universitare dhe procesit të inovacionit.
Rritja e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqiptare, ku përvoja e mësimdhënies online mund të zbatohet me sukses, duke ftuar specialistë të degëve të ndryshme nga hapësira shqiptare dhe nga diaspora për cikël leksionesh apo module të caktuara.
Zhvillimi i studimeve MASTER me programe të përbashkët brenda universiteteve ose ndërmjet universiteteve shqiptare, ku si shembull shërben nisma për hapjen e një Master-i për nano-materialet dhe nano-teknologjinë i iniciuar nga grupi i nano-materialeve ne Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Zhvillimi i Qëndrueshëm
Ndjekja e këtyre këshillave më sipër do ta shtyjë përpara zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive tona. Ndonëse objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm sipas agjendës 2030 me shumë gjasë nuk do të arrihen, dhe pavarësisht se vendet tona janë ndër më të varfrat në Europë, nuk mund të heqim dorë nga përpjekjet për të arritur këto qëllime përmes politikave ekonomike dhe bashkëpunimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
Disa fjalë përfundimtare
Të nderuar kolegë, Instituti ynë do të zhvillojë zgjedhjet e do të ketë deri në Takimin e ardhshëm edhe kryetarin ri të përgjithshëm dhe një rifreskim të strukturave drejtuese.
Neve ju ftojmë që të bëheni pjesë e këtyre përpjekjeve dhe kësaj lëvizjeje për të zhvilluar më tej arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke integruar diasporën shkencore, dhe duke rritur bashkëpunimin mes nesh.
Duke i uruar suksese Takimit, ju falënderoj për vëmendjen.